Kafeneja e trotuarit

Me të ulur në karrigen e hekurt e të ftohët për të pushuar shtrembër në një trotuar të pasheshuar, shfryva fort për t’u liruar nga streset e udhëtimit të përziera me gëzimin e mëngjesit të parë në Paris. I dua mëngjeset kudo, në cilindo qytet. Gjithmonë ka gumëzhimë të heshtur, një energji të sigurt ende të ankoruar nga përgjumja. Kjo është një periudhë kalimtare; po zgjohemi nga gjumi i thellë, duke iu përshtatur dritës së ndezur të diellit, duke thithur ajër vetëdijshëm dhe qëllimshëm. Nuk kam folur frëngjisht prej vitesh, kështu që shqetësimi mu përvodh teksa kamerierja po më afrohej te tavolina e vogël bistro: “”Que préférez-vous, mademoiselle??”, pyeti ajo. ”Un cafe crème, s’il vous-plaît,” iu përgjigja unë, duke shpresuar që theksi im amerikan nuk po vërehej shumë.

 

Kafeneja e trotuarit në Paris është një vendtakim universal. Ato gjenden në pothuaj çdo qoshe të rrugës, nganjëherë nga tri a katër të renditura njëra pas tjetrës, të gjitha njëjtë të gazmuara, përplot me turistë e banorë lokal. Kriteri i vetëm, më sa duket, është që ka tavolinë të lirë. Njerëzit rrallëherë që janë të vetëm dhe e tërë eksperienca është intime. Tavolinat janë të larguara nga njëra-tjetra me vetëm disa centimetra, grupet ulen shumë pranë njëra-tjetrës, të humbura në muhabet.

 

Kafeneja, në fakt, është pjesë e trotuarit, çka bën që personi të ndihet i lidhur me ritmin e qytetit. Tavolinat mbushin shtegun e këmbësorëve: njerëzit lëvizin andej-këtej, duke hyrë e dalë nga metroja, brenda dhe jashtë kafenesë. Ndonëse kalimthi - klientët e rinj mbushin menjëherë tavolinat e sapohapura – kafeneja është një vend ku mund të rrish për një orë e më gjatë. S’ka nguti, s’ka kufizim të muhabetit, s’ka nxitim në kohën e kaluar me ata që i shoqëron.

 

Si një shkrimtar që kërkon kafe të mirë për jetesë dhe që më së shumti i gëzohet kafenesë së mëngjesit, e zbulova këtë eksperiencë kafeje të jetë një rebus (diçka e ngatërruar). Koha e kaluar këtu ishte e pasur dhe shpërblyer, gjë që s’mund ta themi edhe për kafenë. Këtë dhe e pritja, meqë kam qenë në Paris edhe më herët. Po ashtu, kam folur me shumë parisienë që e pranojnë këtë. Kafja në Paris thjesht s’është e mirë. Shumica këtu përgatisin kafenë me kokrra të kualitetit të ulët, zakonisht të bluar ditë apo, ndoshta, dhe javë më herët, të përgatitur në aparate automatike.

 

Së voni, në Paris janë hapur disa dyqane të kafesë së specializuar (përzierje të ndryshme të kafesë). Baristë të shkathët, kafe të pjekur me mjeshtri, dhe hapësira të dizajnuar mirë po shtohen, duke i lidhur ata që e duan kafenë në njërin nga qytetet me kulinare në botë. Megjithëkëtë, sapo të aterrojë aeroplani im në Paris, mendtë i mbajë vetëm te ulja në një kafene trotuari, me një lap-top në njërën dorë dhe një filxhan me kafe të keqe në dorën tjetër.

 

Parisi është vendi ku shumë nga shkrimtarët e mi të pëlqyer u frymëzuan para meje; Hemingway, Fitzgerald, dhe Flamer të gjithë shkruan në kafenetë që ende qëndrojnë sot. Rrallëherë, ambienti personal mund të vlejë më shumë se kafja; në këtë rast, janë njerëzit që mbushin ato karrige të hekurta, të kaluarit e të tashmit, të cilët vërtet ma tërheqin vëmendjen./thecoffeeexperiment