Çfarë domethënie kanë tortat?

Bukët dhe tortat e lashta përdoreshin në ceremonitë religjioze. Atyre qëllimisht u jepej një formë e caktuar, sipas ritualit për të cilin përdoreshin. Format e rrumbullakëta në përgjithësi simbolizojnë natyrën ciklike të jetës, në veçanti diellin dhe hënën. Tortat e pjekura me brumë mund të formoheshin dhe të dekoroheshin për t’u dukur si kafshë, si kështjella, si kurora apo xhevahire. Bukët e pasuruara me majë ndajnë vendin e njëjtë në tavolinat festive.

 

Sa i përket nivelit njerëzor, tortat shërbehen në raste të veçanta (ditëlindje, martesa, festa, funerale), sepse ato paraqesin ofrimin tonë më të mirë kulinar në nderim ndaj më të dashurve tanë. Në kohët e moçme, kur sheqeri i rafinuar, mëlmesat, thelpinjtë, dhe frutat e thara ishin të shtrenjta, ishte një privilegj të nderoheshe me një tortë. Sot, torta nuk është shumë shtrenjtë dhe ne kemi zgjedhje të shumta, por porosia mbetet e vazhdueshme. Torta thotë: Ti je i rëndësishëm dhe ne të duam.

 

“Njerëzit kanë konsumuar torta të të gjitha llojeve përgjatë historisë dhe në lloj-lloj ceremonish. Në botën e sotme, njerëzit tradicionalisht ofrojnë torta për festa, ditëlindje, martesa, funerale, shkurt në të gjitha kohët e rëndësishme të ciklit jetësor. Tradita e ngrënies së tortës në raste të veçanta ka bazë në ritualet e lashta. Tortat në botën e lashtë kishin lidhje me ciklin vjetor, dhe njerëzit i përdornin si fli për zotat dhe për shpirtrat që besohej se ushtronin forcë në kohë të caktuara të vitit.

 

Kinezët bënin torta në kohën e korrjeve për të nderuar perëndeshën e tyre të Hënës, Heng O. Ata pranonin se Hëna luante një rol vendimtar në ciklin stinor, kështu që bënin torta të rrumbullakëta në formë hëne për të shpërblyer perëndeshën hënore.

 

Rusët tradicionalisht nderonin në pranverë një perëndi të quajtur Maslenitsa duke bërë torta të holla që i quanin torta dielli. Sllavët paganë nuk kanë qenë të vetmit që kanë bërë torta të rrumbullakëta për të festuar diellin pranveror.

 

Keltët e lashtë, të cilët festojnë Beltanin në ditën e parë të pranverës, piqnin dhe hanin tortat e Beltanit si një pjesë të rëndësishme të festimit të tyre. Në festivalin Beltan, Keltët e lashtë, po ashtu, rrokullisnin torta teposhtë kodrës për të imituar lëvizjen diellore. Rrotullimi i tortave, shpresonin ata, do të siguronte lëvizjen e vazhdueshme të diellit. Ky aktivitet po ashtu shërbente si një formë parashikimi: nëse torta thyhej, kur mbërrinte fundin e kodrës, Keltët besonin se, ai që e rrokulliste, do të vdiste brenda vitit; nëse torta nuk thyhej, ata besonin se personi do të kishte fat të mirë atë vit. Popujt agronom përreth botës ofronin fli në formë torteje nga drithi dhe frutat që dilnin nga dheu. Llojet e përbërësve të përdorura në këto torta kontribuuan në simbolikën e tyre. Të gjitha tortat kanë pasur lidhje definitive me mitet në të cilat besonin njerëzit.” (Nectar and Ambrosia: An Encyclopedia of Food in World Mythology, Tamra Andrews [ABC-CLIO:Santa Barbara CA] 2000 (p. 52-54)